Lajme Shqip Friday, 06 May 2011 12:47

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të premten me unanimitet që procesi i numerimit të votave në Tiranë, në përfundim të votimeve për zgjedhjet vendore të 8 majit, të nisë me kutitë e votimit për kryetarin e bashkisë dhe këshillin bashkiak të Tiranës.

Më pas, në përfundim të këtij procesi, me përpilimin e tabelave përmbledhëse të rezultateve për këtë post do të nisë numerimi i votave në kutitë e votimit për kryetar të njësive bashkiake dhe këshillin e njësive bashkiake.

KQZ miratoi sot një vendim të posaçëm për KZAZ-të e kryeqytetit, i cili përcakton radhën e procesit të numërimit të votave. Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, argumentoi se Komisioni e sheh të nevojshëm miratimin e një akti të tillë dhe për shkak të interesimit të madh që paraqet bashkia e kryeqytetit.

“Kjo radhë në numerimin e votave në Tiranë bëhet për shkak të interesit të madh që ka për këtë bashki, sepse nga pikëpamja e menaxhimit parashikojmë dhe mundësinë e problemeve”, nënvizoi Ristani në mbledhjen e sotme.

Më 8 maj qytetarët e Tiranës do të votojnë me katër fletë votimi: për kryetar bashkie, për këshillin bashkiak të Tiranës, për kryetarin e njësisë vendore dhe për këshillin bashkiak të njësisë vendore.

Për postin e kryetarit të Bashkisë së kryeqytetit konkurojnë 3 kandidatë: Lulzim Basha i Partisë Demokratike, që kryeson koalicionin e djathtë “Aleanca për Qytetarin”, Edi Rama, kryetari aktual i bashkisë, që kandidon për një mandat të katërt, kandidati i Partisë Socialiste dhe i koalicionit të udhëhequr prej saj “Aleanca për të Ardhmen”, si dhe Hysni Milloshi, kryetar i Partisë Komuniste të Shqipërisë, e cila konkuron e vetme në zgjedhjet vendore.