Lajme Shqip Saturday, 21 May 2011 12:52

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) vendosi të shtunën me 5 vota pro dhe 1 kundër të pranojë kërkesën e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar për rivlerësim dhe rinumërim të votave në dy qendra votimi, përkatësisht QV 45 70 dhe 45 71 të KZAZ-së, nr.62, qarku i Vlorës.

Pas parashtrimit të ankesës, anëtarët e Komisionit ranë dakord që të vazhdojnë hetimin për këto dy qendra, duke hapur dhe rivlerësuar të dyja kutitë e votave.

Pas vendimarrjes me shumicë votash, kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, tha se “që nga fillimi i këtij procesi ne kemi vendosur të mbajmë një standard, që t’i hetojmë të gjitha dhe të çojmë në vend çdo votë të hedhur nga shqiptarët”.

KQZ vendosi që procedurën e hapjes së dy kutive ta zhvillojë të hënën.

Ndërsa, Komisioni Zgjedhor po zhvillon mbledhjen e radhës, para selisë së KQZ-së simpatizantë dhe deputetë të PS-së vijojnë të protestojnë kundër vendimeve të këtij institucioni, për rezultatin e kryetarit të bashkisë së Tiranës. Deputetët opozitarë, që po marrin fjalën në këtë tubim shprehen se PS është e vendosur të mbrojë të drejtën legjitime të votës, të cilën nuk ka pushtet që ta mbajë nën diktat.