Lajme Shqip Tuesday, 26 April 2011 13:51

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) iu bëri sot thirrje subjekteve politike t’i propozojnë komisionerët e komisioneve zonale të administrimit zgjedhor (KZAZ), pasi vonesat në këtë proces nuk do të mundësonin trajnimin në kohë dhe në cilësi të tyre, për realizimin e standardeve në procesin zgjedhor të 8 majit.
“KQZ është shumë i shqetësuar për shkeljen e përsëritur të afateve ligjore nga ana e partive parlamentare, që nuk kanë dorëzuar propozimet për anëtarët dhe sekretarët e qendrave të votimit. Sipas nenit 36, pika 2 e kodit zgjedhor, propozimet për komisionerët e nivelit të tretë, duhet të ishin bërë jo më vonë se 45 ditë nga data e zgjedhjeve”, thuhet në një deklaratë për shtyp të zëdhënësit të KQZ-së, Arti Lushi.
Sipas tij, në kushtet kur na ndajnë vetëm dy javë nga data e zgjedhjeve vendore, trajnimi i komisionerëve që do të administrojnë procesin në 4880 qendra votimi, është një nga fazat më të rëndësishme që duhet kryer.
KQZ, vijon deklarata, “u bën thirrje me forcë subjekteve politike, që në orët në vazhdim, të dërgojnë urgjentisht propozimet përkatëse pranë çdo KZAZ-je, në mënyrë që të përmbyllet sa më shpejt të jetë e mundur emërimi dhe trajnimi i komisionerëve”.