Lajme Shqip Friday, 15 April 2011 15:20

Tiranë – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, reagoi sot ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve(KQZ), për ndalimin e transmetimit të dy spoteve elektorale të PS-së.
Kreu socialist akuzoi Kryeministrin Sali Berisha se ka urdhëruar KQZ-në të ndalojë spotet e opozitës, “duke kërcënuar kështu të drejtën e lirisë së shprehjes”.
“Me këtë vendim kërcënimi është i qartë e i drejtpërdrejtë: për t’i thënë këtyre televizioneve ‘kujdes’ me spotet e tjera të Partisë Socialiste dhe të opozitës, sepse mund të gjobiteni rëndë e mund t’u kushtojë shtrenjtë hapësira e lirisë së shprehjes në ekranet tuaja”, tha Rama gjatë një takimi elektoral në Tiranë.
Një ditë më parë KQZ vendosi të ndërpresë transmetimin e dy reklamave “Kurrë më” dhe “Kush është Luli” të Partisë Socialiste, gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 8 majit, pasi, sipas tyre, ishin në kundërshtim me kodin zgjedhor.