Lajme Shqip Saturday, 21 May 2011 10:21

Tiranë – Pas numërimit, deri të premten në mbrëmje nga KQZ të 89 kutive me fletë votimi të kontestuara për kryetarin e bashkisë së Tiranës, kandidati i “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha, ka arritur të sigurojë 150 vota, kundrejt 63 votave të kandidatit të koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”, Edi Rama. Këto vota të konsideruara të vlefshme pas numërimit, do të përfshihen në tabelën përfundimtare të rezultateve për kryetarin e bashkisë Tiranë.

KQZ vazhdoi dje për të tretën ditë radhazi numërimin e fletëvotimeve të gjetura në kutitë e gabuara, mes kontestimeve të forta të përfaqësuesve të Partisë Socialiste, të cilët i kundërshtuan të gjitha fletët e numëruara dhe të shpallura të vlefshme nga katër anëtarët e maxhorancës në KQZ.

Gjatë mbledhjes së djeshme të KQZ-së, anëtarët e propozuar nga opozita njoftuan se kanë paditur në Kolegjin Zgjedhor vendimmarrjen e KQZ-së për këtë çështje. Pas njohjes me këtë vendim, kreu i KQZ-së, Arben Ristani, u shpreh se Shqipëria është shtet ligjor dhe çdo pakënaqësi është normale të ankimohet në instancat përkatëse.

Kreu i KQZ-së ripërsëriti edhe një herë se vota e hedhur në kutinë e gabuar është një votë e vlefshme, sepse kutia është pjesë e administrimit dhe nuk është pjesë e votimit.

Ndërkohë, mbledhja e radhës e KQZ-së pritet të nisë sot në ora 10.00 paradite, ku në rend dite do të jetë shqyrtimi i ankesave të subjekteve zgjedhore në procesin e 8 majit.