Lajme Shqip Thursday, 21 April 2011 17:53

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve diskutoi sot mbi nevojën e  marrjes së masave ligjore në rastet e largimit të komisionerëve nga qendrat e votimit gjatë procesit zgjedhor të 8 majit.

Në mbledhjen e sotme të KQZ-së, kryetari Arben Ristani, duke shprehur shqetësim për situata të tilla të krijuara në zgjedhjet parlamentare të 2009-s, i kërkoi përfaqësuesve të partive në këtë institucion mendimin e tyre për t’i prerë rrugën situatave të tilla.

“Në zgjedhjet e kaluara kemi pasur fenomenin e largimit të komisionerëve nga QV-të, të cilët kanë marrë dhe vulën me vete dhe për këtë nuk ka pasur një zgjidhje përfundimtare. Do doja një mendim se si mund të gjejmë një zgjidhje të përbashkët kundër këtij fenomeni, që na çon dhe në pavlefshmëri të votimit në ato qendra”, tha Ristani.

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike në KQZ-, Njazi Kosovrasti, për këto raste iu referua zgjidhjes që ofroi Komisioni Qendror në rastin e zëvendësimit të anëtarëve të opozitës në 66-të KZAZ-të, me përfaqësues nga shoqëria civile.

“Kjo ishte një praktikë që i qëndroi dhe mënyrës se si u zgjidh ligjërisht. Ne e kemi këtë kontigjent   njerëzish,  të cilët mund të përdoren nga Komisioni në situatat e largimit të papritur të komisionerëve të qendrave të votimit”, tha Kosovrasti.

Nga ana e tij përfaqësuesi i Lëvizjes Socialiste për Integrim në KQZ, Ylli Manjani, vlerësoi nevojën e “çlirimit të KQZ-së nga këto ‘lojra politike’, që bëhen me ‘suport politik”.

“Do të ftoja KQZ-në të bënte një interpretim të dispozitave që lidhen me funksionimin e komisioneve zgjedhore. KQZ të gjejë një zgjidhje të menjëhershme duke emëruar profesionistë në dispozicion për ditën e zgjedhjeve, që të mbrojnë procesin nga makinacionet politike. Të mendohen taktika ligjore e mbrojtjes së procesit zgjedhor”, u shpreh Manjani.

Duke e lënë çështjen të hapur për diskutim ditën e nesërme Ristani tha se ndonëse mund të mos ketë raste të largimit të komisionerëve nga qendrat e votimit, “ne duhet të jemi të parapërgatitur për të shmangur probleme të tilla”.

“T’i kërkojmë Prokurorisë së Përgjithshme të kemi një memorandum bashkëpunimi që prokuroria të reflektojë në kohë, për t’i shmangur ato, por dhe që të ruajmë votën e zgjedhësve. Masat të jenë komplekse dhe duhet të vëmë para përgjegjësisë fajtorët”, tha kreu i KQZ-së.

Gjatë mbledhjes së sotme KQZ miratoi me konsensus përmbajtjen e fletës së votimit të qarqeve Kukës dhe Lezhë, në kuadër të zgjedhjeve të 8 majit.