Lajme Shqip Tuesday, 19 April 2011 13:29

Tiranë – Fleta e votimit, që do të përdoret në zgjedhjet vendore të 8 majit, do të ketë një numër shtesë elementesh sigurie, të propozuara nga përfaqësuesit e opozitës, si një garanci për besueshmërinë e procesit të afërt zgjedhor.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) miratoi të hënën një akt të posaçëm, ku përfshihen  disa kërkesa që Partia Socialiste propozoi lidhur me besueshmërinë dhe transparencën e procesit të prodhimit të fletës së votimit.

Kërkesat e PS-së kanë të bëjnë me elementë shtesë sigurie dhe ato konsistojnë: që fleta e votimit të jetë letër e personalizuar me një simbol, i cili duhet të jetë i dukshëm, fleta e votimit të ketë një shirit sigurie, si dhe proçesi i prodhimit të fletëve të votimit të monitorohet nga një person i posaçëm. Sipas përfaqësuesve të PS-së në KQZ, kërkesat e opozitës bëhen në funksion të rritjes së besueshmërisë mbi proçesin zgjedhor.

Akti i miratuar nga KQZ, në plotësim të garancive të kërkuara nga opozita, parashikon gjithashtu dhe rolin e policisë në ruajtjen e ambienteve ku do të printohen fletët e votimit, një proces që do të kryhet nga kompania “MediaPrint”.

Për zgjedhjet vendore do të prodhohen rreth 7. 4 milionë fletë votimi, përkundrejt numrit zyrtar të votuesve, që është 3 milionë e 164 mijë e 859 zgjedhës, mbështetur në listën përfundimtare të shpallur zyrtarisht nga autoritetet shtetërore.

Sipas kodit zgjedhor (neni 97, pika 2), për zgjedhjet vendore, zgjedhësi voton me dy fleta votimi me formë të njëjtë dhe me ngjyra të ndryshme, një për kryetarin e njësisë së qeverisjes vendore dhe një për këshillin e komunës apo bashkisë.

Ndërsa për bashkinë e Tiranës, zgjedhësi voton me katër fletë votimi, me ngjyra të ndryshme, një për kryetarin e bashkisë Tiranë, një për këshillin e bashkisë së qytetit, një për kryetarin e njësisë bashkiake dhe një për këshillin e njësisë bashkiake.