Lajme Shqip Friday, 15 April 2011 15:50

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të miratojë të premten pasdite vendimin për caktimin e partive politike që iu lind e drejta për të propozuar anëtarin e tretë dhe të katërt të grupeve të numërimit të votave (GNV) për zgjedhjet vendore të 8 majit.
Sipas kodit zgjedhor, GNV-të përbëhen nga katër anëtarë, dy prej të cilëve propozohen nga Partia Demokratike dhe Partia Socialiste. Në të njëjtën kohë, ligji zgjedhor parashikon që dy anëtarët e tjerë propozohen nga forca e dytë më e madhe e koalicionit të djathtë dhe forca e dytë e koalicionit të majtë, me kushtin që ato të kenë fituar minimalisht dy deputetë në zgjedhje. 
Sipas relacionit shoqërues të pr/vendimit, që pritet të shqyrtohet sot në KQZ, “nga lista e partive të shumicës parlamentare është vetëm Partia Lëvizja Socialiste për Integrim që plotëson kriteret ligjore dhe rrjedhimisht kjo parti do të propozojë anëtarin e tretë të grupeve të numërimit të votave”.
“Duke qenë se në listën e partive politike të opozitës parlamentare nuk ka parti që të plotësojë kërkesat e kodit zgjedhor, për arritjen e barazpeshimit politik shumicë-opozitë, e drejta për propozimin e anëtarit të katërt të grupeve të numërimit të votave për zgjedhjet vendore të 8 majit, i përket Partisë Socialiste”, thuhet në relacionin e p/vendimit.
Kodi parashikon në nenin 95 të tij se 66 KZAZ-të në të gjithë vendin marrin vendim për të ngritur grupet e numërimit të votave dy ditë para zgjedhjeve. “Një grup numërimi numëron jo më pak se 5 qendra votimi dhe jo më shumë se 10 qendra votimi. Në përfundim të këtij procesi, grupi i numërimit zëvendësohet nga grupi tjetër i numërimit, sipas pikës 1 të këtij neni. KQZ-ja përcakton me akt normativ kriteret për numrin e grupeve të numërimit për çdo vend të numërimit të votave, mënyrën e organizimit të punës, ndarjen e detyrave midis anëtarëve të grupit të numërimit dhe rregullat për radhën e veprimeve”, thuhet në kodin zgjedhor.