Lajme Shqip Thursday, 12 May 2011 21:40

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konstaton ritme të ngadalta të numërimit të votave në tre njësitë bashkiake të Tiranës, që ende nuk e kanë mbyllur këtë proces.

Drejtori i komisioneve zgjedhore pranë KQZ-së, Alfred Spahia, në mbledhjen e pasdites së Komisionit, duke informuar mbi situatën e numërimit në tre KZAZ-të e kryeqytetit, tha se në njësinë 5, KZAZ-ja nr. 49, në njësinë 8, KZAZ nr. 52 dhe në njësinë 9, KZAZ nr. 53, ritmet e numërimit të votave janë të ngadalta.

“Ky proces po ndiqet nga afër nga inspektorët e KQZ-së, ndërkohë që ka dhe persona që qëndrojnë jashtë vendeve të numërimit të votave, ku nuk vihen re probleme”, tha Spahia.

Në mbledhjen e pasdites KQZ vendosi gjithashtu për lirimin e tre anëtarëve të KZAZ-së nr. 53 dhe emërimin e tre anëtarëve të rinj.