Lajme Shqip Monday, 02 May 2011 19:20

Korçë – Partia Republikane zhvilloi në mbrëmjen e së dielës një miting elektoral në qytetin e Korçës, në mbështetje të kandidatit për kryetar bashkie të “Aleancës për Qytetarin”.

Fatmir Mediu, kryetari i PR-së, theksoi se “Më 8 maj në Korçë do të votohet “Aleanca për Qytetarin” që ka në programin e saj rrugën e së ardhmes evropiane si dhe individin dhe mirëqënien e tij”.

“Jemi këtu për flamurin tonë, i cili ka zënë tashmë vend ndërmjet flamujve të BE-së dhe NATO-s. Jemi pjesë e familjes së madhe shqiptare. Besojmë në vendin tonë, ku gjithsecili, padyshim, ka besimin dhe gjykimin e vet. Ne jemi të bashkuar si shqiptarë dhe duhet të jemi të bashkuar të djathtë dhe të majtë, sepse ne ndajmë të njëjtat shpresa dhe të njëjtat qëllime, Shqipërinë Europiane”, tha Mediu.

Kryetari republikan, Mediu, bëri thirrje që anëtarët dhe simpatizantët e Partisë Republikane, më 8 maj të votojnë Andrea Manon dhe këshilltarët e PR, sepse sipas tij, qytetarët e Korçës do të kenë trajtim të barabartë, punësim, zhvillim të biznesit dhe ruajtje të identitetit kulturor të Korçës.

Pjesmarrësit i përshëndeti edhe kandidati për kryetar bashkie i “Aleancës për Qytetarin”, Andrea Mano, i cili parashtroi projektin e tij për ndryshimin e Korçës, projekt i cili mbështetet nga qytetarët korçarë, nga biznesi dhe nga qeveria.

“Ne së bashku do ta ndryshojmë Korçën, jo duke e betonizuar atë siç kanë bërë socialistët, por duke ruajtur identitetin e saj dhe duke e zhvilluar atë me projekte konkrete për sistemim-asfaltimin e rrugëve, rikonstruksionin e shkollave dhe të objekteve social-kulturore, ndërtimin e 500 banesave sociale dhe punësimin e më shumë njerëzve”, tha Mano.