Lajme Shqip Monday, 02 May 2011 20:46

Korçë – “Aleanca për të Ardhmen” zhvilloi pasditen e së hënës mitingun përmbyllës elektoral në qytetin e Korçës.

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, në përshëndetjen e tij nënvizoi se Korça dhe kudo në vend ku qeverisin socialistët, janë model i qeverisjes së suksesëshme. Për këtë ai solli si shembull rrugët dhe mjediset publike të rikonstruktuara nga bashkia e Korçës dhe Niko Peleshi.

“Vota për Niko Peleshin nuk është e majtë, por një votë qytetare për ta ndryshuar Korçën, si e vetmja rrugë drejt së ardhmes”, nënvizoi Rama.

Duke u ndalur në kritikat ndaj qeverisë, Rama tha se qeveria nuk duhet të merret me shtrimin e rrugëve të fshatrave me asfalt, sepse sipas tij, këto janë punë të komunave dhe bashkive, por me zhdukjen e papunësisë dhe varfërisë.

Rama shprehu bindjen se Korça do të votojë kandidatin e “Aleancës për të Ardhmen”, Niko Peleshin, për një të ardhme të sigurt dhe më të mirë për të gjithë qytetarët, të majtë dhe të djathtë qofshin ata.