Lajme Shqip Saturday, 30 April 2011 16:27

Korçë – Drejtori i Drejtorisë së Policisë të Qarkut të Korçës, Bernard Çaushaj, në një takim sot me mediat, tha se policia e qarkut ka marrë të gjitha masat për garantimin e një proçesi zgjedhor korrekt dhe në përputhje të plotë me ligjin. Sipas tij, Drejtoria e Policisë të Qarkut dhe komisariatet e policisë të Korçës, Pogradecit, Devollit dhe Kolonjës kanë ngritur grupe të posaçme pune për drejtimin dhe kordinimin e shërbimeve të policisë për të gjithë periudhën zgjedhore.

“Në ndryshim nga organet dhe institucionet e tjera, Policia e Shtetit nuk është pjesë e procesit zgjedhor dhe nuk ka ndikim në këtë proces, përveç misionit të saj që i ngarkon ligji për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut”, tha Çaushaj.

Ai bëri të ditur se ka përfunduar trajnimi i 475 punonjësve të policisë, që do të angazhohen me detyra për ruajtjen e qendrave të votimit, shoqërimin e kutive dhe materialeve zgjedhore dhe ruajtjen e vendeve të numërimit të votave. Sipas tij, ky trajnim u zhvillua nga trajnerë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë të Shtetit, sipas një programi me kushte e standarte të përcaktuara nga kjo Drejtori dhe të kontrolluara e monitoruara nga OSCE dhe PAMECA.