Lajme Shqip Tuesday, 03 May 2011 08:53

Korçë – Partia Aleanca Maqedonase për Integrim Evropian zhvilloi në teatrin “A.Z.Çajupi” të Korçës një takim elektoral me anëtarë dhe simpatizantë të saj, ku prezantoi kandidatët për këshilltarë në këshillat bashkiake të Korçës, Pogradecit, Bilishtit dhe të komunës së Liqenasit.

Në përshëndetjen e tij, kryetari i kësaj Partie, njëherazi kandidat për kryetar komune në komunën e Liqenasit, Edmond Themelko, tha se demokracia në Shqipëri i ka mundësuar  pakicës maqedonase të shprehet për partinë e saj Aleanca Maqedonase për Integrim Evropian dhe të votojë kandidatët për këshilltarë në njësitë e qeverisjes vendore, ku ka kandiduar. Sipas tij kjo Parti synon të ketë nga një këshilltar në bashkitë Korçë, Pogradec dhe Bilisht, si dhe në disa komuna.

Të pranishmit i përshëndeti edhe këshilltari i kryetarit të bashkisë së Prilepit, Maqedoni, Ilia Dimovski, i cili vlerësoi veprimtaritë e kësaj Partie në zgjedhjet e pushtetit vendor në Shqipëri dhe marrëdhëniet e mira midis dy vendeve.

Për të pranishmit dha një koncert këngëtarja maqedonase, Suzana Spasovska, grupi i valleve të Vërnikut, Devoll dhe Ansambli i Valleve Popullore të Qendrës Kulturore “Vangjush Mio”, Korçë.