Lajme Shqip Wednesday, 20 April 2011 14:22

Librazhd – Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto dhe ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, i cili drejton edhe shtabin elektoral të Partisë Demokratike në Qarkun e Elbasanit, çelën sot në komunën e Rrajcës, në rrethin e Librazhdit, fushatën për zgjedhjet vendore të 8 majit, duke prezantuar kandidatin për kryetar komune, Selaudin Bogdani, i cili kandidon për një mandat të dytë.

Zv/kryeministri Haxhinasto vlerësoi kandidatin Bogdani si një njeri të përkushtuar dhe të dedikuar ndaj komunitetit të tij. “Ai është kandidati i një koalicioni, i cili është duke ndryshuar Shqipërinë dhe jam i bindur që kjo komunë do të punojë me ritmet me të cilat po ndryshon Shqipëria, me ritmet e investimeve të mëdha, me ritmet e rrugëve të reja”, tha Haxhinasto.

Nga ana e tij ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, duke parashtruar një sërë investimesh që janë kryer gjatë katër vjetëve të fundit në këtë komunë, tha se “vijmë me punë të bëra, me shërbime të kryera dhe nuk kemi turp kur dalim para jush dhe kërkojmë votën edhe për katër vitet në vazhdim. Koalicioni i partive tona, është një koalicion, i cili sot jo vetëm ka maxhorancën e votuesve shqiptarë, por ka punuar për të gjithë komunitetin, pa dallim partie”.

“Jemi drejt një fitoreje sepse po përpiqemi t’i shërbejmë qytetarit. Koalicioni ynë nuk po përdor gjuhën e sharjeve, denigrimeve për opozitën në nivel qendror apo edhe në nivel lokal, madje as në ato bashki ku ata janë në pushtet. Ne po përpiqemi të krijojmë këtë dialog kudo ku jemi, këtë dialog, i cili u bë i prekshëm edhe sot këtu. Me këtë frymë, me frymën e paqes për zgjedhje të lira e të ndershme, pa incidente dhe pa dhunë le të shkojmë në zgjedhjet e 8 majit me një fitore për koalicionin tonë “Aleanca për Qytetarin”, tha Imami.