Lajme Shqip Thursday, 19 May 2011 08:37

Tiranë – Ministri i Mbrojtjes, Arban Imami, u shpreh sot se procedura e ndjekur nga KQZ për numërimin e fletëve të votimit të kontestuara është tërësisht ligjore.
“Ne nuk mund të mos kërkonim që të mos numëroheshin votat tona. Ashtu sikurse do të ishte e pamundur që një nga kandidatët të thotë që nuk duhen numëruar disa nga votat e kundërshtarit. Përkundrazi deri para 2-3 ditësh kandidatët thanë haptazi se duhet numëruar deri në votën e fundit dhe duke qenë se diferencat janë të vogla, këto vota kanë peshë më të madhe. Por ky s’është faji i votave apo qytetarëve që kanë votuar dhe duan që t’i numërohet vota. Dhe me vota të panumëruara, sepse ato do të mbeteshin të panumëruara, s’mund të fitohet Bashkia e Tiranës”, tha Imami.
Por, sipas Imamit, ato nuk janë vetëm vota të panumëruara, por në një masë të madhe edhe të vjedhura. “Në QV 1819 janë 15 vota të hedhura në kutitë e gabuara dhe pasi u informuam nga komisionerët tanë, personi që ka orientuar njerëzit ka qenë socialist”.
Sipas Imamit, këto persona që tregojnë se ku duhen hedhur votat vendosen me mirëkuptim mes komisonerëve. 
“Ka pasur precedentë, por nuk ishte regjistruar në memorien juridike. Ndërsa ligjvënësi e ka marrë parasysh këtë gjë, por nuk ka dhënë përcaktimet e posaçme, por ka dhënë qartazi që çdo votë duhet të numërohet”, u shpreh Imami.