Lajme Shqip Sunday, 24 April 2011 12:55

Elbasan – Veprat publike që pritet të ndërtohen në vitet në vijim në qarkun e Elbasanit, mes të cilave autostrada Elbasan-Tiranë dhe hidrocentrali i Banjës, do të ulin ndjeshëm nivelin e papunësisë në këtë zonë.

“Pas ndërtimit të rrugës Tiranë-Elbasan, që do të shkurtoj ndjeshëm distancën mes dy qyteteve, investimi tjetër i qeverisë do të jetë hidrocentrali i Banjës, me një fond prej 1 miliard euro, një nga investimet më të mëdha jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan në fushën e energjisë elektrike”, tha Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, gjatë prezantimit të kandidatit të koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Qamil Boja, për kreun e komunës Gostimë në Elbasan.

Sipas ministrit Imami “qarku i Elbasanit është në prag të ndryshimeve të mëdha, sepse Elbasani është qarku prioritar për këto katër vite në programin e qeverisë”.

Ai ftoi banorët e Gostimës, por edhe të qarkut të Elbasanit, që më 8 maj të votojnë kandidatët e propozuar nga “Aleanca për Qytetarin”, si alternativa më e mirë për të ardhmen e tyre.