Lajme Shqip Saturday, 23 April 2011 06:55

Tiranë – Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), Shpëtim Idrizi, theksoi dje në Shkodër, në një tubim elektoral për të shprehur mbështetjen për kandidatin e “Aleancës për qytetarin” për bashkinë e Shkodrës, Lorenc Luka dhe për prezantimin e këshilltarëve të kësaj force politike në këtë bashki, se Shkodra është pararoja e zhvillimit tonë kombëtar në histori.

“Shkodra duhet të fitojë shkëlqimin kulturor, të gazetave të dikurshme, të mediave, të Gjimnazit të Shkodrës. Shkodra është një qytet i bekuar se ka lumë, det, liqen dhe s’duhet të jetë më qytet i mallkuar. Ne duhet të mendojmë që sot, të ndalojmë pasojat e dëmshme të stinës së dimrit. Shkodra është baza e fuqisë sonë shpirtërore si komb, pse këtu bashkëjetojnë në mënyrë të shkëlqyer tre fetë përbërëse të kombit tonë”, tha Idrizi.

Duke prezantuar programin e PDIU-së, Idrizi e vuri theksin tek bashkimi ekonomik i Shqipërisë me Kosovën, duke mbrojtur tezën e patriotizmit modern dhe pragmatik.

“PDIU e sheh kombin si një i tërë, edhe jashtë kufijve. Kjo është një qasje e patriotizmit modern, e patriotizmit pragmatik, e patriotizmit që e sheh kombin, atdheun, tek familja, prona, shtëpia, tregu kombëtar përtej kufijve”, tha Idrizi.

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet nisi turin e saj zgjedhor në veri të Shqipërisë me ndalesat e para Bubqin, ku u prezantua kandidati i PDIU-së për kryetar komune, Skënder Gjoni.