Lajme Shqip Sunday, 08 May 2011 18:09

Himarë – Procesi i votimit në Bashkinë e Himarës, 75 km në jug të Vlorës, po vijon normalisht, ndërkohë që pjesëmarrja arrin deri në rreth 30 %.

Kryetari i KZAZ nr.63, Xhevahir Çeloaliaj, tha për ATSH-në se në qendrat e votimit të kësaj njësie të qeverisjes vendore, procesi ka qenë i qetë dhe në kufijtë e normalitetit. Çeloaliaj tha se nga të dhënat paraprake rezulton se numri i pjesëmarrësve në votime ka shkuar deri tani në rreth 30 për qind të zgjedhësve, çka vlerësohet si një tregues i kënaqshëm. Sipas tij, shqetësimet e veçuara që janë krijuar në ndonjë qendër votimi, janë zgjidhur në kohë dhe aktualisht votimet janë në proces.

Për zgjedhjet vendore të 8 majit në bashkinë e Himarës kandidojnë katër përfaqësues të subjekteve të ndryshme politike. Mes tyre përfshihen, kryetari aktual i kësaj bashkie, Vasil Bollano, përfaqësues i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Savo Prifti, përfaqësues i Partisë Demokratike dhe Koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Gjergji Goro, që përfaqëson Partinë Socialiste dhe Dhimitër Llazari, që synon postin e kryetarit të kësaj njësie të qeverisjes vendore, nën ngjyrat e partisë më të re të minoritetit, MEGA.