Lajme Shqip Sunday, 08 May 2011 17:38

Tiranë – Deputeti i PS-së, Andis Harasani, e cilësoi normale dhe të qetë ecurinë e procesit të votimit, ndërsa ka mbetur pak kohë nga ora zyrtare për mbylljen e qëndrave të votimit.

Në një prononcim televiziv Harasani apeloi që mos të prishet cilësia e këtyre zgjedhjeve, ndërsa e cilësoi më rëndësi arritjen e standarteve të tyre.

“Procesi ka qënë i qetë, ka patur incidente, të cilat kanë qënë shumë të vogla nëse i krahasojmë me zgjedhjet e mëparshme”, theksoi përfaqësuesi i opozitës.

Duke bërë thirrje që të vazhdojë kjo qetësi edhe në orët e fundit, Harasani shprehu besimin që edhe procesi i numërimit është më i kontrolluar.

“Mendoj që kanë qënë zgjedhje të pranueshme dhe që nuk kemi patur probleme serioze. Më e rëndësishme është që zgjedhjet të jenë të pranueshme”, u shpreh deputeti i PS-së, duke nënvizuar se “nëse vazhdon kjo qetësi, të dyja palët duhet të pranojnë rezultatin”.