Lajme Shqip Monday, 09 May 2011 16:15

Himarë – Gjergji Goro, i cili fitoi zgjedhjet në Bashkinë e Himarës si përfaqësues i Partisë Socialiste, deklaroi sot se e priste këtë fitore.

“Ishte një rezultat që unë e kisha parashikuar dhe isha i qetë, veçanërisht në kutinë e fundit ku numëroheshin 100 vota”, tha Goro.

Ai nënvizoi se, procesin e numërimit në kutinë e fundit që i përkiste një qendre votimi në qytetin e Himarës, e ndoqi së bashku me kryetarin aktual Vasil Bollano.

Sipas tij, rezultatet e votimit në qytet ishin të barabarta mes dy kandidatëve dhe gjithçka u vendos në momentet e fundit.

“Bollano më uroi me sms për fitoren”, citoi zoti Goro.

Në zgjedhjet vendore të 8 majit, në bashkinë e Himarës kandiduan katër emra, Gjergji Goro(PS), Vasil Bollano(PBDNJ), Savo Prifti (PD) dhe Dhimitër Llazari (MEGA).

Gjergji Goro fitoi me 95 vota më shumë se rivali i tij më i afërt Bollano.