Lajme Shqip Tuesday, 03 May 2011 14:27

Tiranë – Pas një karriere sportive në pedanë, mbajtës i 32 rekordeve, ish- trajner i Partizanit, sportist i ekipit kombëtar, Elez Gjoza ka ndërmarrë një tjetër sfidë, atë të politikës.

Nën siglën e LSI-së, forcë në të cilën ai ka kontribur prej kohësh, Elez Gjoza është kandidati i “Aleancës për Qytetarin”  për kryetar në njësinë bashkiake numër dy në kryeqytet në zgjedhjet e 8 majit.

Në një intervistë për ATSH-në, kandidati Gjoza shpalos programin e tij elektoral, ndërsa nënvizon se me mbështetjen e kryetarit të ardhshëm të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, do të ndryshojnë jetën e banorëve të kësaj zone, për ta kthyer në një pjesë të metropolit.

Pas tre muaj punë intensive, së bashku me shtabin e tij elektoral, Elez Gjoza ka krijuar edhe librin e problematikave për minibashkinë numër dy.

“Mungon tërësisht infrastruktura, me rrugë të paasfaltuara dhe të dëmtuara, zonë e cila prej 11 vitesh është lënë në harresë jo vetëm nga minibashkia, por edhe nga drejtuesi aktual i Bashkisë së madhe”, vë në dukje Gjoza.

Ai evidenton edhe një sërë problematikash të tjera për këtë zonë siç janë mungesa e çerdheve dhe e kopshteve, shkollave , ambulancë mjeksore deri tek ambientet e gjelbërta, këndet sportive për të rinjtë si dhe ambientet shlodhëse për moshën e tretë.

“Zonat më problematike janë ajo e Saukut, Sanatoriumit dhe pjesa e Depos së Ujit, ku banorët e saj kanë vështirësi nga më të ndryshmet, që nga shkollimi i fëmijëve, të cilëve u duhen më shumë se 20 minuta për të vajtur në shkollë”, vë në dukje Elez Gjoza.

Decentralizimi i kompetencave dhe fondeve për njësinë 2 dhe Bashkinë e madhe është një tjetër angazhim i shprehur gjatë takimeve me banorët e kësaj zone nga kandidati për kryetar Bashkie i “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha, dhe kandidati për këtë minibashki, Elez Gjoza.

Për këtë, Gjoza thekson se “në kundërshtim me kryetarin aktual të Bashkisë së madhe, i cili i ka kthyer minibashkitë vetëm për të ndarë karta identiteti apo vërtetim banor lagjeje, ne do të rikthejme identitetin e vërtetë të tyre, që të jenë në shërbim të qytetarëve”.

Me moton e tij “Unë jam shërbëtor i njësisë 2”, Elez Gjoza shprehet se “duke parë te Lulzim Basha një njeri vizionar, dhe këmbënguljen për të qënë në shërbim të qytetarëve, kjo më ka imponuar akoma më shumë që të lidh kontratë 4 vjeçare me banorët e kësaj zone, për t’u ndryshuar jetën e  tyre, duke ju shërbyer”.

Me energjinë e një sportisti, përvojën menaxheriale dhe prakticizmin në biznes, Elez Gjoza shprehet se këto cilësi do t’i vërë në shërbim të qytetarëve.

“5 km rrugë ka gjithë zona informale për t’u shtruar me asfalt, gjë për të cilën ka munguar vullneti, sikurse edhe për ndërtimin e një shkolle 9-vjeçare apo i një qëndre shëndetësore. Këto do të bëhen realitet për banorët e kësaj zonë në mandatin tim si kryetar i kësaj minibashkie”, shprehet Gjoza.

Dëshira e tij më e madhe personale, si sportist, mbetet krijimi i ambienteve sportive për fëmijët dhe të rinjtë e kësaj zone, të cilët janë kthyer objekt i lokaleve.

“Basha ka premtuar që do të rrisë fondet për krijimin e ambienteve sportive në shërbim të të rinjëve. Ndërsa një shprehje thotë: një dollar i investuar në sport është 4 dollarë mangut tek mjeku. Dhe unë jam i vendosur që të ndryshoj jetën e të rinjve në njësinë numër 2”, deklaron kandidati Gjoza.

Personi që numëron 12 medalje të arta në CV-në e tij si shtangist, të fituara në aktivitetet ndërkombëtare, mes tyre në kampionatet ballkanike dhe evropiane, Elez Gjoza premton që me vullnetin e hekurt dhe si qytetar i kësaj zone do të ndryshojë jetën e familjeve dhe banorëve të njësisë bashkiake numër 2 në kryeqytet.