Lajme Shqip Sunday, 08 May 2011 10:27

Gjirokastër – Mbi 130 mijë zgjedhës në qarkun e Gjirokastrës do të votojnë sot për të përzgjedhur 32 nga 80 kandidatët, kryetarë të ardhshëm të njësive vendore, 6 bashki dhe 26 komuna, në jug të vendit.

Arjan Gjini, përfaqësuesi i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve (KQZ) për qarkun e Gjirokastrës, pohoi se “procesi i votimit në 285 qendra votimi (QV) në jug të vendit ka nisur normalisht, 122 në rrethin e Gjirokastrës, 88 në rrethin e Përmetit dhe 75 në Tepelenë”.

“Të gjitha QV do të jetë të hapura për zgjedhësit nga ora 07:00 deri në 19:00. Më pas të gjitha materiale zgjedhore dhe kutitë e votimit do të depozitohen pranë Komisionit Zonal Administrativ Zgjedhor (KZAZ), për të kryer procesin e numërimit”, pohoi Gjini.

“Të gjitha QV në qarkun e Gjirokastrës janë hapur sipas orarit të përcaktuar nga Kodi Zgjedhor. Shpresojmë që procesi i votimit të eci normalisht”, shtoi ai.

“Të gjitha qendrat e numërimit të votave të përcaktuar në çdo bashki dhe qendër rrethi janë gati me të gjithë infrastrukturën e nevojshme”, theksoi Gjini.

Ndërkaq, mësohet në qarkun e Gjirokastrës kanë mbërritur 25 vëzhgues të huaj të misionit OSBE-ODIHR, të cilët do të monitorojnë procesin e votimit dhe të numërimit të votave.