Lajme Shqip Friday, 06 May 2011 13:43

Gjirokastër – Drejtoria e Policisë së Gjirokastrës, në bashkëpunim me komisariatet e policisë në Tepelenë dhe Përmet, kanë organizuar një takim të përbashkët, ku janë koordinuar veprimet dhe masat për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në të tri këto rrethe.

Zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë, Gentian Mullai, tha se “ky takim kishte si qëllim rritjen e sigurisë së qytetarëve, të kandidatëve që garojnë, të subjekteve politike dhe të shtetasve të angazhuar në procesin zgjedhor, si dhe për ruajtjen e qendrave të votimit”.

Sipas tij, për të garantuar mbarëvajtjen e procesit, duke filluar prej orës 08.00 të datës 7 maj deri në përfundim të procesit të numërimit të votave, përreth ambientit të Pallatit të Sportit në Gjirokastër, Pallatit të Kulturës Tepelenë dhe Pallatit të Sportit Përmet, ku do të kryhet numërimi i votave, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve të qytetarëve dhe gjithçka do të jetë nën kontroll.