Lajme Shqip Saturday, 30 April 2011 16:14

Gjirokastër – Kryetari aktual i bashkisë së Gjirokastrës dhe njëkohësisht kandidat i “Aleances për të ardhmen” për kryetar të kësaj njësie vendore, Flamur Bime, ka dhunuar sot zyrën e deputetit të Partisë Demokratike në këtë qytet, Genc Ruli.

Në një konference për shtyp në orët e pasdites së sotme, kandidati i “Aleancës për Qytetarin” për kyetar i kësaj bashkie, Genc Sinojmeri, dënoi dhunimin që kandidati i tij rival, Flamur Bime, i ka bërë zyrës së deputetit Genc Ruli.

Sipas deklaratës së Sinojmerit, Bime ka hyrë sot në mesditë në zyrën e Rulit, ku gjendej drejtori i fushatës së maxhorancës, Bexhet Çobani dhe pa asnjë lloj etike ka sulmuar me fjalë të ulta dhe fjalor rrugaçëror Çobanin dhe kandidatin e maxhorancës.

Sinojmeri tha se Bime ka kërcënuar Çobanin dhe stafin e tij duke e paralajmëruar të mos aktivizohet në fushatë, pasi do të ketë pasoja të rënda”. Sipas deklaratës së Sinojmerit, edhe pse Çobani është treguar gjakftohtë dhe i duruar, Bime nuk ka reshtur sulmet ndaj tij me të gjitha format e kërcënimit, presionit dhe frikës.