Lajme Shqip Tuesday, 26 April 2011 06:53

Tiranë – Kryeministri Berisha përshëndeti dje pasdite takimin elektoral me qytetarë të Fushë Krujës, në të cilin shprehu mbeshtetjen për kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin” për kryetar të kësaj bashkie, Bilal Stafuka, bëri të ditur Zyra e Shtypit e Kryeministrisë.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh se, “në këto katër vite, ne kemi investuar në bashkinë e Fushë Krujës mbi 1 miliard e 100 milionë lekë. Ju garantoj se në katër vitet që vijnë, këto investime do të shumëfishohen. Katër vitet që vijnë, Fushë Kruja do të ketë infrastrukturën më moderne që meriton, do të jetë një hyrje moderne e kryeqytetit të vendit. Katër vitet që vijnë, qeveria do të financojë çdo projekt të zotit Stafuka, për asfaltimin e plotë të rrugëve e rrugicave të kësaj bashkie, për sistemin e ndriçimin e tyre. Qeveria do të financojë ngritjen e shkollave të reja dhe rindërtimin e atyre ekzistuese, në mënyrë që fëmijët tuaj të shkollohen në shkolla të standardeve më moderne”.

Ai tha se, “Fushë Kruja turistike është një nga objektivat tona madhore. Javën e parë, ne inauguruam rrugën Bubq-Ishëm dhe së shpejti, ju do të dilni në bregdet nga të gjitha drejtimet. Sikundër Qafë Shtamën do ta shndërrojmë në një nga zonat malore më turistike, më të frekuentuara të vendit”.

“Në rrethin e Krujës, në katër vite, ne kemi ndërtuar e asfaltuar 121 kilometra rrugë, 11 ujësjellës, 13 shkolla, 21 qendra shëndetësore. Ju garantoj se katër vitet që vijnë, infrastruktura e Fushë Krujës dhe e këtij rrethi do të jetë tërësisht europiane, do të jenë të një rrethi të zhvilluar. Kjo është alternativa jonë, që ka në epiqendër mundin, djersën, punën, përkushtimin, vizionin tuaj”, tha kryeministri Berisha.

Në vazhdim të fjalës së tij, kryeministri Berisha theksoi se, “krahas kësaj alternative, është alternativa tjetër, ajo e rrugës së përbaltjes, e shpifjes dhe e trillimit. Zoti Edia Rama, që ka zgjedhur rrugën e vetme, mendon se me atë rrugë mund të përbaltë Sali Berishën. Por gabon rëndë, sepse me atë rrugë, ai dëshmon se don të përbaltë çdo shqiptar, të përbaltë arritjet e sukseset tuaja, gjithçka që ne kemi realizuar me mund e djersë këto vite. Por, le ta lëmë shokun Rama në rrugën e tij të vetmisë, sepse më datën 9 maj, Tirana dhe Shqipëria do ta nisë atë në vetminë më të thellë politike që meriton”.