Lajme Shqip Monday, 25 April 2011 17:26

Tiranë – Gjatë vizitës në qytetin e Fushë Arrësit, kryeministri Berisha është ndalur të vizitojë një fabrikë të re të prodhimit të këpucëve të kompanisë Bertoni, që eksporton këto produkte prej 20 vitesh në Itali, bëri të ditur Zyra e Shtypit e Kryeministrisë.

Fabrika, me më shumë se 30 punonjës, është e dyta e kësaj kompanie që hapet në këtë qytet, pas fabrikës që ndodhet në qytetin e Pukës.

Duke e falenderuar menaxherin e kësaj kompanie, zotin Paulin Radovani, për punën e bërë, kryeministri u shpreh se hapja e kësaj fabrike si dhe zgjerimi i saj më vonë me angazhimin direkt të Kryetarit të Bashkisë me të gjitha lehtësirat dhe infrastrukturat e domosdoshme, është një zhvillim shumë pozitiv për Fushë – Arrësin.

Duke i uruar atyre punë të mbarë e suksese të mëtejshme në aktivitetin e tyre, Kryeministri theksoi se qeveria do të vazhdojë politikat e saj lehtësuese ndaj biznesit.