Lajme Shqip Friday, 06 May 2011 18:32

Fier – Kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë e Fierit, Ilir Bele, gjatë takimit me banorët e lagjes “Mbrostar Ferko” e “15-Tetori” ka premtuar se shumë shpejtë, jo vetëm problematika e tyre, por edhe e shumë lagjeve të tjera do të jetë një kapitull i mbyllur. Ai ka shpalosur para tyre planin e zhvillimit ekonomik, disa nga objektivat dhe ambiciet që do t’i shndërrojnë fytyrën qytetit dhe do të përmirësojnë jetën social-ekonomike të qytetarëve.

“Fieri është një prej qyteteve me një pozicion të mirë gjeografik dhe me resurse të shumta natyrore, të cilat ne do t’i vëmë në funksion të zhvillimit të tij ekonomik”, tha Bele.

Bele deklaroi se gjatë mandatit të tij synon hapjen e rreth 12.500 vëndeve të reja të punës. Ai bëri të ditur synimin për ngritjen e një parku industrial në periferi të qytetit, i cili do të jetë mushkëria e zhvillimit ekonomik dhe punësimit.