Lajme Shqip Wednesday, 11 May 2011 10:34

Fier – Baftjar Zeqaj, kandidati i “Aleancës për të ardhmen” për bashkinë e Fierit, është konfirmuar si fitues i garës elektorale në përfundim të procesit të numërimit të votave. Ai do të drejtojë këtë bashki edhe për këtë mandat 4-vjeçar, duke shënuar fitoren e tij në 3 mandate radhazi.

Procesi i numërimit të votave është mbyllur rreth orës 23.30 të ditës së martë dhe ka nxjerë fitues Zeqajn me rreth 4000 vota më shumë. Sipas n/kryetarit të KZAZ nr 18, Aleksandër Shanaj, Baftjar Zeqaj mori 15 951 vota ndaj 11 953 që kishte rivali i tij i “Aleancës për qytetarin”, Ilir Bele.

Edhe përsa i përket këshilltarëve, koalicioni”Aleanca për të Ardhmen” fitoi shumicën, 20 vënde nga 35 këshilltar që ka gjithësej bashkia e Fierit.

Pas shpalljes së rezultatit përfundimtar, Baftjar Zeqaj në një konferencë për shtyp tha se “puna jonë fillon qysh nesër. Ne do të jemi së bashku, për të përmbushur objektivat që shpallëm gjatë fushatës elektorale”.