Lajme Shqip Thursday, 12 May 2011 22:53

Elbasan – Ka përfunduar proçesi i numërimit të votave në KZAZ nr. 12 në Pallatin e Sportit “Tomor Sinani”, ku kryetari aktual i bashkisë, Qazim Sejdini, i propozuar nga koalicioni ” Aleanca për të ardhmen” ka fituar mandatin e dytë në këtë post.

Kryetari i KZAZ nr 12, Shkëlqim Duka, ka shpallur zyrtarisht fitues të zgjedhjeve lokale në Bashkinë e Elbasanit Qazim Sejdinin, i cili fitoi me 7956 vota avantazh ndaj kandidatit të zgjedhur nga ” Aleanca për qytetarin”. Durim Hushi.

Në Bashkinë e Elbasanit u thirrën për votim 93.803 qytetarë, nga të cilët votuan 50 për qind e tyre në 96 qendra. Kandidati i zgjedhur nga ” Aleanca për të Ardhmen”, Qazim Sejdini, mori 25.443 vota, ndërsa kandidati i zgjedhur nga ” Aleanca për Qytetarin”, Durim Hushi, mori 17487 vota.

Ndërkohë ka përfunduar proçesi i numërimit të votave edhe në pesë KZAZ e tjera të qarkut të Elbasanit, ku pesë bashki janë fituar nga ” Aleanca për qytetarin”, ndërsa dy të tjera nga ” Aleanca për të ardhmen”. Gjithashtu Aleanca për qytetarin ka fituar edhe 30 komuna, ndërsa ” Aleanca për të ardhmen” 19 komuna.