Lajme Shqip Thursday, 28 April 2011 18:22

Elbasan – Kreu i PS, Edi Rama, u ndal sot në lagjen “5 Maji” të qytetit të  Elbasanit, ku edhe u njoh me planin urbanistik të kësaj lagjeje, hartuar nga Bashkia e Elbasanit.

Pasi ka ftuar qytetarët që në 8 Maj, të votojnë kandidatin për kryetar Bashkie, Qazim Sejdni, Rama tha se “kjo epokë duhet të mbyllet dhe një rrugë e re duhet të hapet, e vetmja rrugë është Qazim Sejdini dhe PS”.

“Duke qënë në këtë rrugë të re, që deri dje ishte një shteg i pakalueshëm, është më e lehtë për të kuptuar vlerën dhe rëndësinë që ka vota. Vota është një kapital, i cili investohet për të pasur jetë më të mirë, dhe ky kapital kur investohet tek njeriu i duhur, tek forca e duhur politike, kthehet në një rezultat dhe është një investim i sukseshëm”, tha Rama.

Sipas tij, “sot ne jemi shumë të vetëdijshëm, sepse kemi arritur t’i përgjigjemi me dinjitet asaj që çdo qytetar që ka votuar për ne e ka pasur parasysh kur na e ka dhënë votën”.

“Pas katër vjetësh ne e themi me plot gojën se kemi arritur atë model suksesi dhe zhvillimi që e kemi afirmuar më parë në Tiranë dhe në të tjera qytete, ku kapitali i votës është investuar për ne. Sot Elbasani ka mundësinë që të shohë përpara me shumë më tepër siguri dhe shpresë. Sepse sot çdo qytetar dhe qytetare në Elbasan në qendër apo periferi mund të shohë atë transformim që katër vjet më parë shumëkush nuk e ka menduar”, tha Rama.

Duke ftuar banorët e lagjes “5 Maj” të votojnë për Qazim Sejdinin, Rama tha se “vota për Qazimin në 8 Maj është një votë për të shkuar përtej asaj që kemi sot, është një votë për të realizuar jo vetëm më shumë punë, për të shtruar më shumë rrugë, për më shumë kanalizime, por shumë më tepër se kaq, për të realizuar gjëra që sot duken të paaritshme për katër vjet”.