Lajme Shqip Saturday, 16 April 2011 09:01

Elbasan – Kandidati i “Aleancës për qytetarin” për Bashkinë e Elbasanit, Durim Hushi, ka vijuar turin e takimeve të tij me “Forumin Intelektual” të Elbasanit, si edhe me gra dhe vajza demokrate.

Gjatë takimit me padegogë të Universitetit” Aleksandër Xhuvani”, Hushi u premtoi këtyre të fundit se do të jenë në vëmendjen dhe programin e tij.

“Ju do të keni mbështetjen dhe përkrahjen për rritjen profesionale të pedagogëve, tha ai. Bashkia do t’ju ndihmojë për zhvillimin e kërkimit shkencor, do të jetë si ndërmjetës midis Universitetit dhe bizneseve. Do të ndërtojmë Kampusin Universitar, ndersa Këshilli Akademik i Bashkisë do të luajë rolin e konsulentit për politikat bashkiake”.

Në vijimm të turit të tij elektoral, kandidati për kryetar bashkie i zgjedhur nga koalicioni “Aleanca për Qytetarin” ka zhvilluar një takim me gra dhe vajza të qytetit të Elbasanit. Në këtë takim organizuar në ambientet e “Real Scampis” ka marrë pjesë deputeti i PD, Luçiano Boçi, anëtarja e kryesisë së PD Mimoza Hasekiu, gjithashtu ka qenë e ftuar speciale edhe Albana Vokshi deputete e PD, njëherazi edhe kryetare e Lidhjes së Gruas Demokrate, si edhe deputetja e Elbasanit Adriana Gjonaj.

Në fjalën e tij, Hushi ka premtuar se “mbas datën 8 maj, kur ai të jetë në krye të Bashkisë së Elbasanit, një vëmëndje të veçantë do t’ua kushtojë grave të divorcuara në Elbasan edhe fëmijëve jetimë. Programi ynë është shumë i madh, ai mbështetet nga qeveria për një të ardhme shumë të mirë për Elbasanin. Është programi i shpresës, i bazuar mbi zhvillime të jashtëzakonshme që do të bëhen realitet në këto dy vjet si edhe në vitet që do vijnë”, tha Hushi.