Lajme Shqip Friday, 15 April 2011 18:38

Elbasan – Aleanca për Qytetarin hapi fushatën në Elbasan, ku nën siglën e këtij koalicioni garon Kandidati Durim Hushi. I pranishëm në Elbasan në çelje të fushatës elektorale ishte edhe Kryeministri Sali Berisha i cili shprehu mirënjohje për mbështetjen e treguar nga ky qark për mazhorancen, ndërsa foli edhe për projektin madhor të autostradës Tiranë-Elbasan, tunelin e Kërrabës dhe premtimin për të shtruar çdo rrugë në këtë qark.

Më tej kryeministri Berisha tha se ndërsa mazhoranca paraqet projekte konkrete, opozita ndjekë vetëm një rrugë si atë të Partisë së Punës.

Ndërsa, duke vlerësuar kandidaturën e Durim Hushit, Berisha tha se ai  ka treguar 3 vjet më parë se para se të jetë socialist është qytetar dhe është shqiptare kur votoi pro zgjedhjes së presidentit të republikës që i dha fund ngërçit politik në vend.

Më pas fjalën e mori kandidati për kryetar bashkie i Elbasanit Durim Hushi i cili kërkoi votën e bashkëqytetarëve të tij për t’i dhënë Elbasanit ndryshimin e merituar, planin urbanistik brenda vitit të pare dhe më shumë hapësira të gjelbërta.