Lajme Shqip Monday, 25 April 2011 06:29

Elbasan – Kryeministri Sali Berisha theksoi të dielën në mbrëmje, në një takim me banorë të lagjes “Skenderbej” në Elbasan, se pas pak ditësh do të inaugurojë fillimin e punimeve për ndërtimin e autostradës Elbasan – Tiranë, rrugë e cila shkurton për 50 minuta distancën me Tiranën, duke e kthyer kështu Elbasanin në një metropol.

Duke kujtuar edhe një herë natën e gjatë në parlament ku “kalorësit e rrugës së vetmuar” bllokuan buxhetin për tunelin dhe autostradën Elbasan- Tiranë, Kryeministri tha se “nuk ka gjë në botë që pengon ndërtimin e tunelit, pasi për Edi Ramën tuneli dhe autostrada duhej të mos ndërtohej 100 herë se sa ta ndërtonte qeveria Berisha, por e vërteta është se tunelin e ndërtoni ju, dhe jemi të vendosur që paratë tuaja, taksat tuaja do t’i kthejmë në tunele, në shkolla, në ujësjellësa, në punësim, në rritje rrogash”.

Kryeministri tha se “pas disa ditësh do ta inaugurojmë këtë tunel, sepse ajo është ëndrra ime, ëndrra juaj, pasi jam këtu për t’u zotuar se brenda 18 muajsh dy qytetarët e parë, Lulzim Basha i Tiranës dhe Durim Hushi i Elbasanit, do të inaugurojnë rrugën që do të bashkojë Tiranën me Elbasanin”.

Kryeministri garantoi banorët e lagjes “Skënderbej”, pjesa më e madhe e të cilëve i përket komunitetit kosovar, dhe të gjithë banorët e Elbasanit se “në katër vitet që do të vijnë do të shumfishojmë investimet në Elbasan”.

“Gjatë këtij katër vjeçari qyteti do të ketë unazën dhe Bay-Passin e vet. Do të ndërtojmë rrugë, qëndra shëndetësore, shkolla, do të bëjmë një Elbasan të zhvilluar, pasi alternativa jonë ka në qëndër qytetarin, ka punësimin, arsimimin, tuaj”, tha Kryeministri.

Gjatë këtij tubimi Kryeministri Berisha u zotua se “gjatë gjatë katër viteve që vijnë parku industrial do të njohë dimensione të reja dhe Qarku i Elbasanit do të jetë qendër energjetike dhe e hidrocentraleve”, ndërsa shtoi se “do të lëshojë shtat Boshti i Jugut, pasi ne nuk do të lemë asnjë zonë turistike pa e bërë disponibël për qytetin tuaj”.