Lajme Shqip Friday, 06 May 2011 13:33

Elabasan – Kryeministri Sali Berisha ka mbyllur dje pasdite fushatën elektorale në qytetin e Elbasanit, ku ka shprehur bindjen se kandidati për kryetar bashkie i zgjedhur nga “Aleanca për qytetarin”, Durim Hushi, do të fitojë në 8 maj.

“8 maji është fitorja juaj për Elbasanin, qytetin me infrastrukturën më modern europiane, nyjen kryesore të Koridorit të 8-të, Elbasani i cili në pranverën e vitit 2013 do të bashkohet me Tiranën dhe do të jenë dy kryetarët e bashkive, Lulzim Basha në Tiranë dhe Durim Hushi në Elbasan që do të presin shiritin e shndërrimit në realitet të ëndrrës shekullore autostradën me tunel Elbasan – Tiranë”, tha Berisha.

Kryeministri tha gjithashtu se ne katër vitet që do të vijnë qarku i Elbasanit do të jetë qendra e investimeve më të mëdha në Shqipëri dhe se shqiptarët presin në 8 maj fitore të bindur për Shqipërinë europiane.

“Do të ndërtojmë segmentin Elbasan – Berat, Librazhd – Fushë Studën, dhe çdo rrugë komune fshati dhe qyteti do të jetë i asfaltuar. Në 8 maj ju votoni për Elbasanin e potencialeve të mëdha turistike”, tha Berisha.

Kryeministri u shpreh se do të ndërtojë Elbasanin e kampusit model universitar, e parqeve moderne industriale si dhe premtoi edhe një herë se në katër vitet e ardhshme do të subvencionojë 16 mijë hektarë për fermerët.

“Në 8 maj ju votoni për kthimin e Elbasanit në një gjenerator të madh të punësimit”, tha kryeministri Berisha, ndërsa garantoi se me Durim Hushin në Elbasan do të rritet punësimi dhe se bashkimi i Elbasanit me Tiranën do të shndërrohet në një treg të madh në rajon.

“8 maji është dita e idealeve të lirisë në Europë, drita e shpirtit tuaj europian”, tha kryeministri.

Berisha i ftoi qytetarët që të votojnë të lirë, pasi, sipas tij, në alternativën e tij nuk ka armiq, dhe duke ju referuar opozitës, kryeministri tha se ata le të ecin në rrugën e vetme, pasi në shtëpinë tonë ne mirëpresim ç’dokënd.