Lajme Shqip Wednesday, 11 May 2011 10:51

Elbasan – Ka përfunduar proçesi i numërimit të votave në gjashtë bashkitë e qarkut të Elbasanit, ndërsa vazhdon numërimi në bashkinë e Elbasanit.

Nga gjashtë bashki pesë prej tyre rezulton se janë fituar nga ” Aleanca e qytetarit”, ndërsa Bashkia e Gramshit nga ” Aleanca për të ardhmen”.

Përfaqësuesi i KQZ në qarkun e Elbasanit, Dhimitraq Zografi, tha për ATSH se “në qarkun e Elbasanit deri më tani ka përfunduar numërimi i votave në gjashtë bashki, nga të cilat pesë janë fituar nga kandidatët e “Aleancës për qytetarin”, përkatësisht Bashkia e Peqinit me kandidatin Ilir Rrushi, Bashkia e Cerrikut, me kandidatin Servet Duzha, Bashkia Belsh, me kandidatin Asqeri Kuqja, Bashkia Librazhd, me me kandidatin Shefki Cota, Bashkia Prrenjas, me kandidatin Bajazit Karriqi, ndërsa në Bashkinë Gramsh ka fituar Dritan Bici, i “Aleancës për të ardhmen”.

Ndërkohë, në KZAZ nr 12 në Elbasan vazhdon proçesi i numërimit të votave, ku nga 96 kuti janë numëruar 49 prej tyre, ku kryeson kandidati i “Aleancës për të ardhmen”, Qazim Sejdini.

Procesi i numërimit të votave në të shtatë Bashkitë e Elbasanit vijoi normalisht.