Lajme Shqip Wednesday, 04 May 2011 16:01

Tiranë – Policia e Tiranës ka bërë publike aktin e ekspertimit lidhur me ngjarjen e ndodhur dy ditë më parë në lulishten ku ndodhen dy vëllezërit Frashëri në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, pranë çadrës elektorale të Partisë Socialiste.

Burime zyrtare nga Policia e kryeqytetit, bënë të ditur të mërkurën për mediat se në  Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë,  ka mbërritur Akti i Ekspertimit të Njësisë Speciale të Antieksploziv mbi ngjarjen e datës 2 Maj 2011, ku rreth orës 21.20′, tek lulishtja e “Vëllezërve Frashëri”, dhe konkretisht në një kontiner plehrash, ka patur një shpërthim, ndërsa copat plastike të trupit të kazanit, kanë dëmtuar lehtë shtetasin Armando Dyrmishi.

Referuar burimeve pak pas ngjarjes, shërbimet e policisë, grupi i posaçëm hetimor, ekspertë xheniere, ekspertë të njësisë speciale antiekspoliziv, kryen veprimet e para hetimore dhe proçeduriale duke mbledhur dhe administruar provat.

Në përfundim, specialistët anti-ekspliziv me akt ekspertimi, kanë arritur në përfundim se “shpërthimi konsiderohet një shpërthim i lehtë dhe është shkaktuar nga shpërthimi i një shashke, fuqia e së cilës është shtuar, nga shpërthimi i gazit që mund të ketë patur bombula e petrogazit, plus barutin e fishekzjarrit dhe gazin shpërthyes brenda kazanit, që në disa raste e çlirojnë mbeturinat e ndryshme”.