Lajme Shqip Saturday, 14 May 2011 10:58

Tiranë – Ka nisur numërimi i 8 kutive të fundit në KZAZ-në nr.49, në njësinë bashkiake nr. 5 në Tiranë, njësi e cila do të finalizojë edhe fituesin e garës për bashkinë e kryeqytetit.

Numërimi i votave u ndërprerë gjatë orëve të vona të natës për të filluar pak minuta më parë, duke numëruar kutitë e mbetura të kësaj KZAZ-je.

Të pranishem në sallë janë Ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu dhe ai i BE-së, Ettore Sequi, të cilët po vëzhgojnë nga afër numërimin e votave në këtë njësi bashkiake.

Rezultatet e numërimit të djeshëm të 15 kutive vazhdojnë të nxjerrin kryesues kandidatin e “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha, i cili aktualisht kryeson me 571 vota ndaj kandidatit të “Aleancës për të Ardhmen”, Edi Rama.

Sipas rezultatit zyrtar nga KQZ, kandidati demokrat Basha ka marrë 123.348 vota, ndërsa kandidati socialist Edi Rama 122 777 vota.

Aktualisht janë numëruar 477 kuti votimi nga 485 gjithsej. Numërimi i tetë kutive të fundit të votave në njësinë 5, KZAZ nr. 49 pritet të përcaktojë edhe kryetarin e ri të bashkisë së Tiranës.