Lajme Shqip Monday, 09 May 2011 14:58

Tiranë – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u bëri thirrje sot komisionerëve në qendrat e votimit të mos lejojnë të preket asnjë votë e asnjë subjekti politik apo partie.

Gjatë një konference për shtyp, Rama shprehu mirënjohjen e thellë për të gjithë komisionerët e PS-së në Tiranë dhe gjithë Shqipërinë, të cilët, sipas tij, iu nënshtruan një trajnimi të posaçëm. Beteja vazhdon, tha Rama, ndërsa theksoi se “është radha e numëruesve të tregojnë ndershmërinë dhe vendosmërinë që treguan të gjithë komisionerët”.

“Çdo shqiptar duhet të ndjehet i respektuar prej nesh pavarësisht se kë voton. Ne i kemi fituar zgjedhjet qartë, jemi përgatitur 2 vjet për këtë ditë të bukur dhe kemi qenë dhe jemi  të pregatitur që të zbrapsim çdo orvajtje të dëshpëruar për të shtrembëruar rezultatin”, tha ai.

Duke iu referuar rezultateve paraprake që vijnë nga qendrat e numërimit të votave, Rama tha se “lista e fitoreve po zgjatet”.

“Dua të veçoj fitoren një zonje në Burrel. Burreli në katër vitet e ardhshme do të drejtohet nga një kryetare bashkie. Ne jemi në rrugën e fitores jo vetëm në qytete të mëdha, por edhe në disa qytete të tjera që do të jenë surpriza të vërteta të këtyre zgjedhjeve”, tha Rama, ndërsa kërkoi që “çdo socialist dhe qytetar të qëndrojë në këmbë deri në votën e fundit, me mendje dhe me zemër tek fitorja”.