Lajme Shqip Monday, 09 May 2011 18:35

Durrës – Proçesi i numërimit të votave të dala nga zgjedhjet lokale të 8 majit në Durrës po vazhdon me ritme të ulta.

Në KZAZ nr. 8 deri në ora 19.30 ishin numëruar materialet e 13 Qendrave të votimit nga 165 gjithsej në bashkinë e Durrësit. Me ritme të përafërta vazhdon numërimi edhe në KZAZ 9 dhe 10, të vendosura përkatësisht në shkollën “Naim Frashëri” të Durrësit dhe në pallatin e kulturës në Shijak.

Proçesi i numërimit në mjediset e pallatit të sportit “Ramazan Njala” ku është instaluar KZAZ nr 8 dhe vendnumërimi përkatës po monitorohet nga afër nga dy vëshgues të huaj të OSBE-ODIHR, ndërsa thuajse gjatë gjithë kohës në zonën e lejuar për mediat dhe vëzhguesit kanë qëndruar edhe kandidatët rivalë Ferdinand Xhaferaj dhe Vangjush Dako.

Deri tani janë numëruar kutitë e votimit të Qendrave që i përkasin lagjes periferike të Plazhit dhe diferencat mes dy kandidatëve dhe forcave politike të mëdha janë të papërfillshme-bënë të ditur për ATSH-në burime nga kjo KZAZ, të cilat nënvizojnë numrin në rritje të preferencave për LSI dhe PDIU.

Numërimi i votave nisi sot rreth orës 11.40, rreth 17 orë pas përfundimit të proçesit të votimit. Shkak për vonesat u bë mungesa e dokumentacionit të numëruesve përfaqësues të dy forcave të mëdha politike. Thuajse në të nejtën orë ka nisur ky proçes edhe në KZAZ nr 9 dhe 10, të cilat pritet të përfundojnë më shpejt numërimin pasi kanë përkatësisht 61 dhe 52 Qendra votimi.