Lajme Shqip Friday, 06 May 2011 13:31

Durrës – Materialet zgjedhore në qytetin e Durrësit tashmë kanë mbërritur në KZAZ nr 8, ndërsa ka nisur përgatitja e tyre për shpërndarjen drejt 165 Qendrave të Votimit që do të fillojë 24 orë para fillimit të zgjedhjeve.

Inspektori i KQZ në rrethin e Durrësit, Elvis Beja, tha për ATSH-në se baza materiale është depozituar në mjediset e pallatit të sportit “Ramazan Njala” ku është instaluar KZAZ dhe Vendnumërimi i votave të zgjedhjeve lokale të 8 majit.

Sipas të njejtit burim, në qytetin e Durrësit janë ftuar të votojnë 153.108 zgjedhës, të cilët do të zgjedhin mes dy kandidatëve rivalë të koalicionit qeverisës “Aleanca për qytetarin” dhe koalicionit opozitar “Aleanca për të ardhmen” si dhe për forcën politike që do ti përfaqësojë në këshillin e ardhshëm bashkiak.

Më shumë se 85 përqind e Qendrave të votimit do të vendosen në mjedise të institucioneve publike dhe shkollave të qytetit, tha Beja, sipas të cilit, proçesi i mbërritjes së materialeve zgjedhore ka përfunduar edhe në KZAZ nr 9 dhe 10, që janë vendosur përkatësisht në shkollën “Naim Frashëri” të Durrësit dhe në pallatin e kulturës së qytetit të Shijakut.

Zona zgjedhore nr 9 përfshin bashkitë Sukthit dhe Manzës si dhe komunat e Katundit të Ri, Maminasit dhe Ishmit, ndërsa në zonën zgjedhore nr 10 përfshihen bashkia e Shijakut dhe komunat e Rrashbullit, Xhafzotajt dhe Gjepalajt. Secila prej tyre ka rreth 60 mijë votues, të cilit gjithashtu duhet të vendosin për kreun e ardhshëm të njësive vendore përkatëse dhe për këshillat bashkiakë dhe komunalë, përfundoi inspektori i KQZ, Elvis Beja.