Lajme Shqip Sunday, 08 May 2011 18:18

Durrës – Inspektori i KQZ-së, Elvis Beja, deklaroi për ATSH-në, se “proçesi zgjedhor i 8 majit ka përfunduar në të gjitha qendrat e votimit të rrethit, ndërsa komisionet kanë nisur praktikën e plotësimit të proçesverbaleve përkatëse”.

Beja tha se tre KZAZ-të e këtij rreth, në të cilat përfshihen 4 bashki dhe 6 komuna, kanë raportuar përfundimin normal të proçesit, i cili nisi në orën 7.00 dhe përfundoi në orën 19.00.

Materialet zgjedhore nën kujdesin e forcave të policisë do të drejtohen në KZAZ përkatëse, ku po sot do të nisë proçesi i numërimit të votave.

Sipas listave përfundimtare, sot në rrethin e Durrësit ishin ftuar në votime mbi 270 mijë zgjedhës, të cilët gjatë gjithë ditës kanë patur në dispozicion 278 qendra votimi.

Bashkia e Durrësit me 153.108 zgjedhës në 165 Qendra është Zona më e madhe Zgjedhore e rrethit dhe ka numrin rendor 8. Ndërsa Zona zgjedhore nr. 9 përfshin bashkitë e Sukthit dhe Manzës si dhe komunat e Katundit të Ri, Maminasit dhe Ishmit, ndërsa në zonën zgjedhore nr. 10 përfshihen bashkia e Shijakut dhe komunat e Rrashbullit, Xhafzotajt dhe Gjepalajt.