Lajme Shqip Monday, 09 May 2011 08:16

Durrës – Proçesi i numërimit të votave ende nuk ka filluar në KZAZ-në Nr. 8 në Durrës, ku brenda mesnatës së kaluar, janë depozituar të gjitha materialet zgjedhore nga 165 Qendrat e votimit.

Gjithçka mbetet pezull për shkak të mungesave në dokumentacionin e përfaqësuesve politikë dhe të vëzhguesve që do të kryejnë dhe do të monitorojnë proçesin. Burime nga kjo KZAZ bënë të ditur për ATSH-në se puna për plotësimin e dokumentacioneve të parashikuara nga Kodi zgjedhor dhe legjislacioni përkatës po vijon me intensitet.

Në një prononcim të pak minutave më parë dega lokale e PD, ka njoftuar se vështirësitë janë krijuar për arsye se, Partia Socialiste nuk ka dorëzuar pranë Komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve në Bashkinë e Durrësit listën e numëruesve dhe dokumentacionionin përkatës, gjë që është duke sjellë zvarritjen e proçesit.

“Në bazë të Kodit Zgjedhor, forcat politike duhet t’i dorëzojnë listat e numëruesve dhe dokumentacionin e nevojshëm për secilin prej tyre, me qëllim që kur përfundon proçesi i votimit dhe i dorëzimit të kutive të votimit pranë KZAZ-së, proçesi i numërimit të nisë menjëherë”, thuhet në njoftimin për shtyp të PD-së lokale.

Ndërkaq nga mbyllja e proçesit zgjedhor për kreun e bashkisë dhe përbërjen politike të këshillit të ardhshëm bashkiak kanë kaluar 15 orë dhe dyert e pallatit të sportit “Ramazan Njala” ku ndodhet KZAZ dhe vendnumërimi përkatës vazhdojnë të jenë të mbyllura.

Sipas të dhënave paraprake të njoftuara mbrëmjen e kaluar nga KQZ në bashkinë e Durrësit kanë votuar 31 për qind nga më shumë se 163 mijë zgjedhës të ftuar në votime.