Lajme Shqip Wednesday, 20 April 2011 14:34

Durrës – Deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Nasip Naço dhe Lefter Koka, prezantuan sot kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për kryetar i komunës së Niklës, në qarkun e Durrësit, Avdi Vathi.

Duke vlerësuar punë e bërë prej kohësh dhe mbështetjen që po japin për kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” , deputeti Koka falënderoi mbështetjen që kjo zonë po jep për LSI-në.

Ai vlerësoi kandidatin e “Aleancës për Qytetarin” si “një kandidat që është zgjedhur nga ju dhe do të punojë për ju, pasi kjo zonë ka nevojë për vëmendje, për investime dhe mbi të gjitha duhet njëherë e mirë të ndahet nga njerëzit abuzues me fondet që vijnë për këtë komunitet”.

Ndërsa deputeti Nasip Naço, në cilësinë edhe të ministrit të Ekonomisë, theksoi se “kjo zonë do të ketë vëmendjen e pushteti qendror pasi fondet e akorduara për këtë komunë janë shpërdoruar nga kryetari aktual i Niklës”.

“Së bashku me z. Vathi si kryetar komune ne do të realizojmë gjra të prekshme për këtë komunitet, duke filluar që me ngritjen e infrastrukturës energjetike, duke vendosur një sistem të ri të këtij rrjeti”, nënvizoi Naço.

Ai tha se “brenda muajit, së bashku me Ministrin e Shëndetësisë, Petrit Vasili, do të vizitojmë sërish këtë zonë për të bërë publike hapjen e një qendre të re shëndetësore për këtë komunitet”.

“Kjo zonë, e cila është shumë afër kryeqytetit ka nevojë edhe për investime dhe kjo do të arrihet nëpërmjet mbështetjes që qeveria do t’u japë projekteve konkrete që z. Vathi si kryetar i ri i kësaj komune do të bëjë në të mirë të këtij komuniteti të mrekullueshëm”, tha Nasip Naço.