Lajme Shqip Sunday, 01 May 2011 07:31

Durrës – Drejtuesit e degëve lokale të dy forcave më të mëdha politike në Durrës kanë debatuar dje në distancë lidhur me pretendimin e PS për “shantazhe mbi punonjësit e administratës shtetërore në prag të zgjedhjeve të 8 majit”.

Kryetari i degës lokale të forcës më të madhe opozitare, Alfred Mullaraj, deklaroi sot në mesditë se PD po ushtron presion mbi nëpunësit e administratës shtetërore për të siguruar votat e tyre.

Deklaratën e koalicionit “Aleanca për të ardhmen” vetëm 9 ditë para zgjedhjeve lokale, kryetari i degës lokale të PD, Igli Cara, e ka quajtur “shqetësim të klanit të Vangjush Dakos për humbjen që i pret më 8 maj”.

Cara tha për mediat se “qytetarët, por dhe përkrahësit e Partisë Socialiste në Durrës, e dinë mirë që demokratët kurrë nuk kanë blerë votën dhe nuk kanë luajtur me punën, familjen, të sotmen dhe të nesërmen e durrsakëve”.

Që prej tre javësh kandidati i “Aleancës për qytetarin”, Ferdinand Xhaferaj dhe kryetari aktual, Vangjush Dako, që përfaqëson koalicionin opozitar “Aleanca për të ardhmen”, po zhvillojnë një fushatë elektorale mjaft dinamike lidhur me të ardhmen e qytetit-port në katër vitet ardhshme.

Në zgjedhjet e 8 majit në Durrës janë ftuar në votim afro 160 mijë zgjedhës, të cilët duhet të vendosin për kreun e bashkisë dhe këshillin bashkiak gjatë mandatit 2011-2015.