Lajme Shqip Friday, 15 April 2011 10:05

Sarandë – Kandidati i koalicionit të majtë “Aleanca për të ardhmen” për Bashkinë e Sarandës, Stefan Çipa, gjatë një interviste ka thënë se në qoftë se e fiton mandatin e parë si kryebashkiak, zgjedhësit e tij do të gjejnë gjithmonë derën hapur, pavarësisht bindjeve politike.

Ai thotë se karriera e tij politike është një pasqyrë e qartë. Në tre legjislatura rresht si deputet i parlamentit shqiptar ka mbrojtur interesat e komunitetit dhe asnjëherë nuk është shkëputur prej tyre.
“Në asnjë moment nuk jam ‘divorcuar’ me hallet e gëzimet e komunitetit. Jam nga të rrallët parlamentarë që për 12 vjet pesë ditë kam qëndruar në Tiranë dhe dy ditë tek zgjedhësit”, thotë Çipa, ndërsa nënvizon se askush nuk mund të flasë qoftë edhe për një rast të vetëm kur sarandiotëve të mos u kem hapur derën e zyrës, edhe kur isha ministër i Rendit.
“Gjithçka e kam të lidhur me këtë qytet dhe dua të tregoj se sëbashku mund ta ndryshojmë Sarandën nga shkatërrimi”, shton ai.
Më tej, kandidati i koalicionit “Aleanca për të ardhmen” shprehet se ndihet i sigurtë në fitoren e 8 majit, pasi, siç thotë ai, përkrahjen e gjen tek çdo votues.
“Kam besim se tregtari dhe peshkatari, pensionisti dhe shtresat në nevojë, studentët etj.,  do të votojnë për ndryshim”, shprehet Çipa, ndërsa shton se këtë besim e gjen tek të gjithë sarandiotët, pa dallime partiake.
Ai mendon se gjatë viteve të fundit, pushteti vendor është keqadministruar nga kryetari i djathtë në detyrë, njëherazi rivali i tij i drejtpërdrejt, Edmond Gjoka.
“Nuk dua të bëj politikë, por realisht them se Saranda paraqet problematikë të thelluar, që janë refleks i keqqeverisjes së instaluar nga e djathta. Duket sheshit se kryetari në largim i bashkisë së Sarandës, zoti Gjoka, nuk ka çfarë t’u thotë zgjedhësve”, tha Çipa.
Për të, situata në Sarandë paraqitet tepër problematike për zhvillimin e turizmit.
“Aktualisht në qytetin bregdetar, në jug të vendit, kemi një infrastrukturë të dobët, shkujdesje me kanalizimet e  ujërave të zeza, ndërtime pa leje, si dhe kioska pafund”, specifikon Çipa.
Ndërkohë, sipas tij, edhe monumentet e kulturës në Sarandë janë mbuluar nga pluhuri i harresës, ndërsa identiteti i saj është “eklipsuar” nga ndërtimet shumëkatëshe prej betoni.
“Raportohen mbi 600 mijë turistë për verën 2010, pasi kushdo që hyn në kufi regjistrohet në mënyrë spekulative si turist. Ky është një gabim i rëndë për sot dhe të ardhmen, pasi ky qytet ka nevojë për një studim të mirëfilltë turistik”, mendon Çipa.
Çipa thekson se pas 8 majit, Bashkia e Sarandës do të jetë model për të gjitha bashkitë e vendit. 
“Personalisht do të tregoj modelin e një bashkie të hapur për qytetarët, pasi taksapaguesit kanë nevojë të dijnë ku “derdhen” paratë e tyre”, pohon Cipa, ndërsa premton se mendimi i qytetarit do të jetë prioritet i pushtetit vendor.
“Në bashkinë e Sarandës secili do të ndjehet i barabartë, pa dallime që vijnë për shkak të përkatësisë së ndryshme politike”, përfundon Çipa.