Lajme Shqip Saturday, 23 April 2011 14:35

Tiranë – Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, theksoi sot, në një takim elektoral në qytetin e Burrelit, për prezantimin e platformës së LSI-së për këtë zonë si dhe kandidatit të koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për Bashkinë e Burrelit, Skënder Lleshi, se vota për LSI është një votë për të respektuar më shumë dhe për t’i shërbyer më mirë qytetarit këtu në Burrel.

Duke vlerësuar punën dhe ndihmën tepër të madhe që LSI-ja ka dhënë në këto dy vjet bashkëqeverisje me PD-në, Rama tha se ishte LSI-ja ajo që shmangu një problem të madh që i kanosej vendit nëse nuk do të bënte koalicion me PD-në. Ndaj, tha ai, falë këtij koalicioni të gjerë ne sot, ashtu sikurse vendet e rajonit, lëvizim pa viza.

Sipas tij, alternativa e LSI-se dhe e këtij koalicioni është një hap përpara për këtë qytet dhe për këtë komunitet për një jetë më të mirë, për më shumë harmoni në mes të këtij komuniteti të mrekullueshëm.

Duke kërkuar votën për LSI-në, Rama theksoi se LSI-ja nuk ka ardhur asnjëherë para qytetarëve pa alternativë konkrete. LSI-ja, tha z. Rama, edhe në këto zgjedhje lokale ka projekte konkrete, të cilat kanë të bëjnë me rregullimin e infrastrukturës, krijimin e hapësirave të reja pune, hapjen e qendrave trajnimit profesional, etj.