Lajme Shqip Monday, 02 May 2011 10:29

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha siguroi sot banorët e qytetit të Burrelit, se qeveria do të rrisë investimet për të zhvilluar këtë qytet dhe rrethin e Matit në tërësi.

Në vijim të turit elektoral, Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me qytetarët e Burrelit, ku shprehu mbështetjen për kryetarin aktual të bashkisë, Skënder Lleshi, njëkohësisht kandidat i koalicionit “Aleanca për qytetarin” për zgjedhjet vendore të 8 majit.

“Paraqes para jush një nga qeveritarët vendorë më të sukseshëm dhe personalitetet më të vendosura dhe kompetente të qeverisjes vendore të PD-së. Skënder Lleshi është intelektuali i përkushtuar”, tha Berisha, ndërsa garantoi se qeveria do të mbështesë çdo projekt për zhvillimin e bashkive dhe komunave të këtij rrethi.

Kryeministri vuri në dukje se gjatë 4 viteve të shkuara qeveria ka investuar në këtë rreth, për rrugë, ujësjellësa, shkolla dhe kanalizime shumë herë më tepër se në 8 vitet e tjera të marra së bashku.

Kreu i Qeverisë garantoi se në 4 vitet që vijnë do të finalizohet Rruga e Arbrit dhe qeveria do të asfaltojë çdo rrugë të Matit, nga qendra e Burrelit deri në kufi me Mirditën, Peshkopinë, Tiranën dhe Krujën. Kryeministri garantoi se qeveria do të ndërtojë infrastrukturën europiane dhe do të shkurtojë distancën mes qyteteve.

“Ne do të ndërtojmë një gjimnaz tjetër në Burrel dhe shkolla e kopshte të reja në mbarë rrethin. 4 vitet që vijnë do të vendosim në rrethin e Matit sistemin më modern të vaditjes dhe do të subvensionojmë mijëra hektarë tokë dru frutorë dhe sera”, tha më tej Berisha.

Ai siguroi se do të shfrytëzohen të gjitha potencialet minerare, turistike dhe ujore të kësaj zone dhe do të ndërtohen dhjetra HEC-e në lumenjtë e këtij rrethi.

“Ne jemi i vetmi vend që kemi dyfishuar rrogat dhe pensionet dhe kryesojmë rritjen ekonomike. Këtë vit Shqipëria u shpall destinacioni turistik kryesor i planetit dhe kemi klimën më të mirë të biznesit në Europë”, tha Berisha, duke theksuar se projekti që ofron alternativa e “Aleancës për qytetarin” ka në qendër interesat e qytetarëve.