Lajme Shqip Wednesday, 04 May 2011 09:30

Tiranë – Zëdhënësja e e kandidatit të Aleancës për Qytetarin për bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, i cilësoi pikat e paktit qytetar të bërë publik nga kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, si mashtrime.

Nëpërmjet një deklarate për shtyp, zëdhënësja Anila Bisha tha se “të gjitha këto premtime i kemi dëgjuar edhe më pare, nuk përmbajnë asgjë më shumë se sa të njëjtat premtime elektorale të zgjedhjeve të vitit 2007”.

Sipas saj, “Rama premtoi të ndërtonte rrugë të reja për të rregulluar trafikun. Të gjithë e dimë se si është trafiku sot në Tiranë”. “Ai premtoi 10 shkolla të reja, që jo vetëm nuk u ndërtuan kurrë, por edhe aktualet nuk janë të sigurta për fëmijët tanë. Premtoi internet falas për të gjithë të rinjtë, ai premtoi të ndërtonte 400 terrene sportive si dhe premtoi ta shndërronte Tiranën në qytetin më të pastër”, tha ajo, duke shtuar se “këto premtime nuk u realizuan kurrë dhe në përfundim të këtyre zgjedhjeve, premtimet e kësaj fushate do të kenë të njëjtin fat”.

“Nëse këto premtime nuk janë realizuar gjatë 11 viteve të Ramës si Kryetar Bashkie, pse duhet ndokush të besojë se ai do t’i realizojë ato në katër vjeçarin e ardhshëm”, përfundon deklaratën zëdhënësja e kandidatit Basha.