Lajme Shqip Saturday, 14 May 2011 12:45

Tiranë – Komisioni Zonal i Administrimit të Zgjedhjeve në njësinë bashkiake numër 5, KZAZ 49, vendosi sot ndryshimin e procedurës për numërimin e votave, duke vijuar vetëm me numërimin e 8 kutive për kryetar bashkie, për të bërë të mundur shpalljen e kandidatit që do të mund të drejtojë Bashkinë e Tiranës në 4 vitet që vinë.

Gara në mes dy kandidatëve vazhdon të mbetet tepër e ashpër. Po numërohen 5 kuti në të njëjtën kohë nga të gjithë komisionerët. Ndërkaq, pas një kompromisi, u vendos që menjëherë të numërohen edhe tre kutitë e fundit për kryetarin dhe më pas të numerohen kutitë për këshilltarët.

Rezultatet e numërimit të djeshëm të 15 kutive vazhdojnë të nxjerrin kryesues kandidatin e “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha, i cili aktualisht kryeson me 571 vota ndaj kandidatit të “Aleancës për të Ardhmen”, Edi Rama.

Sipas rezultatit zyrtar nga KQZ, kandidati demokrat Basha ka marrë 123.348 vota, ndërsa kandidati socialist, Edi Rama 122 777 vota.

Ambasadori amerikan Arvizu dhe ai i BE-së, Sekui ndodhen sërish sot në njësinë numër 5.

Një natë më parë, Ambasadori amerikan Arvizu dëgjoi pretendimet e përfaqësuesve të PD dhe PS rreth çështjes së fletevotimeve të kontestuara dhe kërkoi t’i jepet fund procesit të numerimit.