Lajme Shqip Friday, 06 May 2011 13:24

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha tha mbrëm se “zgjedhjet vendore të 8 majit do ti rezervojnë Edi Ramës një fund të ri politik”.

I ftuar në emisionin televiziv “Opinion”, në TV Klan, Kryeministri Berisha bëri një historik të zgjedhjeve vendore në Tiranë dhe shprehu bindjen se Edi Rama nuk i fitoi zgjedhjet e vitit 2003, por i grabiti ato.

“Në vitin 2007, Shqipëria ishte thellësisht blu dhe ndër më blutë. Rama fitoi Tiranën, por humbi vendin dhe ruajti kështjellën e tij. Ndërsa zgjedhjet e vitit 2003, ishin tërësisht jashtë standardeve dhe gjykata u detyrua të kthejë për përsëritje 138 qendra në Tiranë”, tha Berisha, duke akuzuar Edi Ramën se i grabiti me banda zgjedhjet e 2003.

Kryeministri theksoi se në këtë fushatë zgjedhore ekipi drejtues i PD-së, ka qenë më i angazhuar se kurrë dhe pret me kënaqësi rezultatin e zgjedhjeve më datën 8 maj.

“Në rast se Edi Rama me ‘Aleancën për të ardhmen’ fiton qoftë edhe një votë më shumë se ‘Aleanca për qytetarin’ unë do të them se ai i fitoi zgjedhjet”, tha Berisha, duke theksuar se në 15 fushata zgjedhore ka humbur vetëm 2 palë zgjedhje, të pranuara ndërkombëtarisht, dhe e ka pranuar me gjakftohtësi dhe respekt të plotë verdiktin e sovranit.